Histori Gjeografi

LINDJA DHE FORMIMI I BASHKËSISË PRIMITIVE

1. SHFAQJA E SHOQËRISË NJERËZORE. PALEOLITI

Gjurmët më të hershme të jetës njerëzore
Historia e shoqërisë njerëzore fillon që në kohën kur nga kopeja e majmunëve antropoidë u formuan grupet e para të njerëzve primigjenë. Kjo ndarje e njeriut nga bota e kafshëve u krye nëpërmjet një procesi shumë të gjatë, të ndërlikuar dhe të papërsëritshëm.
Periudha më e hershme e zhvillimit të kësaj shoqërie primitive njihet arkeologjikisht me emrin e paleolitit (nga greqishtja palaios - i vjetër, lithos - gur) dhe përfshin periudhën afërsisht nga 1 500 000 deri në 10 000 vjet më parë. Kjo epokë ndahet nga ana e saj në paleolit të ulët, të mesëm dhe të lartë.
Në vendin tonë nuk janë zbuluar mbeturina kulturore nga paleoliti i ulët, që zë një pjesë të madhe të epokës së pleistocenit e vjen deri në kohën e vërshimit të akullnajave Riss.
Gjurmët më të hershme të qenies së njeriut në territorin e Shqipërisë shfaqen në periudhën musteriane, që i përket paleolitit të mesëm (100 000-30 000 vjet më parë). Këto përfaqësohen nga vegla prej stralli të punuara mirë, me forma tipike musteriane, të cilat i kanë shërbyer njeriut primitiv për procese të ndryshme pune që lidheshin drejtpërdrejt me sigurimin e ushqimit të tij të përditshëm. Të tilla vegla, si prefëse, kruese, gërryese, etj., janë gjetur, deri më sot, në stacionin prehistorik të Xarës në rrethin e Sarandës, në stacionin e Kryegjatës, në afërsi të Apolonisë (Fier) dhe në stacionin e Gajtanit në rrethin e Shkodrës. Nga format dhe përmasat e tyre të vogla këto vegla ngjasojnë mjaft me veglat e strallit të zbuluara në depozitimet musteriane të krahinave fqinje të Greqisë Veriore, të Thesalisë, të Malit të Zi etj.
Tipi fizik i njeriut në këtë kohë ishte ai i neandertalit . Në procesin e antropogjenezës ky tip paraqet një hallkë më të zhvilluar në krahasim me pitekantropin e paleolitit të ulët.
Dyndja nga veriu në jug e akullimit të periudhës gjeologjike Riss bëri që edhe në vendin tonë klima të pësojë ndryshime të mëdha. Në malet e larta të Shqipërisë u formuan akuj të përhershëm, që zbritën deri në lartësinë 1 000 m mbi nivelin e detit. Si pasojë e këtyre ndryshimeve klimatike ndryshoi dhe fauna e flora e vendit. Nga kafshët e vjetra qëndruan vetëm ato që mundën ta përballonin të ftohtit. Krahas tyre u shfaqën dhe kafshët karakteristike vetëm për kushtet e klimës së ftohtë. Të tilla ishin mamuthi, rinoceronti leshtor, bizoni, dreri i veriut, ariu i shpellës, hiena e shpellës, dhia e egër etj.
Të ftohtët ndikoi edhe në mënyrën e jetesës. Në luftën për të përballuar vështirësitë klimatike dhe për të mbijetuar, njeriu i kësaj kohe bëri hapa të rëndësishëm drejt përparimit; u strehua në shpella pasi triumfoi në luftën për jetë a vdekje me kafshët e egra që i kishin zënë që më përpara këto vend-strehime natyrore. U vesh duke shfrytëzuar lëkurët e kafshëve, mësoi të ndezë vetë zjarrin, të cilin e përdori me sukses kundër të ftohtit dhe bishave të egra, por sidomos për të përmirësuar strukturën e ushqimit, duke përdorur gjerësisht mishin e pjekur, i cili luajti një rol të madh në përmirësimin e mëtejshëm biologjik të tij. Zjarri qe një arritje shumë e rëndësishme për kohën, sepse i dha njeriut për të parën herë zotërimin mbi një fuqi të caktuar të natyrës, që e ndau atë përfundimisht nga bota e kafshëve.
Banorët e paleolitit të mesëm jetonin me prodhimet, që i gjenin të gatshme në natyrë dhe sidomos me gjueti, e cila përbënte edhe drejtimin kryesor të veprimtarisë së neandertalasve. Me mbledhjen e frutave dhe të zhardhokëve, me ruajtjen e zjarrit, me rritjen e fëmijëve, me përgatitjen e lëkurës për veshje, etj., merrej gruaja, ndërsa burri dilte për gjah ose merrej me përgatitjen e veglave të punës dhe të armëve. Gjuetia e kafshëve të mëdha, në kushtet e nivelit të atëhershëm, primitiv të veglave të punës, mund të bëhej vetëm në mënyrë kolektive. Në këto rrethana ajo ndihmoi shumë në forcimin e lidhjeve të brendshme midis anëtarëve të grupeve dhe së bashku me krijimin e lidhjeve të gjakut shpuri në organizimin e bashkësisë primitive.


Lindja e gjinisë matriarkale

Paleoliti i lartë është përfaqësuar shumë më gjerë. Vegla pune të kësaj periudhe janë zbuluar me shumicë në sipërfaqen e stacionit të Xarës (Xara II), në shpellën e Shën Marinës në Bogas të Sarandës, në shpellën e Konispolit, në Kryegjatë, në Rrëzë të Dajtit dhe në Gajtanin III, pra në një rreze të tillë që nënkupton shtrirjen e vendbanimeve të kësaj kohe në pjesën më të madhe të territorit të Shqipërisë. Këto materiale përbëhen kryesisht nga vegla stralli të tipit aurinjacien, të një përvoje më të përparuar teknike dhe me forma më të larmishme, kryesisht thika, kruese dhe gërryese. Së bashku me veglat prej stralli në depozitën rrëzë Dajtit janë gjetur edhe disa vegla prej kocke, të cilat në këtë kohë marrin një përdorim të gjerë krahas përsosjes së mëtejshme të punimit të strallit. Në shtresën paleolitike të shpellës së Shën Marinës përveç veglave të punës janë gjetur dhe gjurmë zjarri, si dhe fosile kafshësh të pleistocenit të vonë (capra ibex - dhi e egër), që tregojnë për një faunë të ngjashme me atë të paleolitit të mesëm, gjë që është dhe e kuptueshme, pasi klima dhe në këtë kohë vazhdoi të ishte e ftohtë dhe e lagësht si më parë.
Përparësi kanë të dhënat që janë zbuluar në shtresën më të hershme të shpellës së Konispolit I, të datuar 26 370 vjet më parë, si një seri veglash pune të përgatitura nga gur-stralli i bardhë me retush të varfër, kocka kafshësh të egra si edhe farë rrushi të egër dhe thjerrëza të karbonizuara, të cilat janë tipike për Mesdheun Lindor paraneolitik.
Gjuetia e kafshëve të egra vazhdon edhe në këtë etapë të fundit të zhvillimit paleolitik të vendit tonë, të jetë mjeti kryesor i sigurimit të ushqimit. Madje në këtë kohë përsosen dhe më tepër armët e gjuetisë si dhe format e saj. Mbledhja e prodhimeve të gatshme, gjithashtu, mbetet një nga mënyrat e sigurimit të ushqimit të përditshëm.
Gjatë kësaj epoke përfundon procesi i gjatë dhe i ndërlikuar i antropogjenezës. Nga neandertali, me tipare ende shtazore, kalohet tani në tipin e njeriut të sotëm - homo sapiens.
Si rrjedhim i përsosjes së veglave të punës prej stralli e kocke u rrit ndjeshëm mundësia e sigurimit më me shumicë të produkteve ushqimore, gjë që solli ndryshime dhe në organizimin e bashkësisë primitive.
Formohen tani grupe të qëndrueshme njerëzish të bashkuar jo vetëm nga forma e përbashkët e prodhimit, por edhe nga lidhjet e gjakut dhe nga origjina e tyre e përbashkët. Gradualisht kalohet në bërthamën e parë të organizimit shoqëror, në gjininë matriarkale. Ishte matriarkale, pasi gruaja luante rol të dorës së parë në ekonomi dhe në jetën shoqërore të kësaj bashkësie gjinore. Forma kryesore e familjes në këtë gjini ishte martesa me grupe, prej së cilës origjina e fëmijëve përcaktohej vetëm nëpërmjet nënës.
Në epokën e mezolitit (guri i mesëm) 10 000 - 7 000 vjet p.e.re ndodhën ndryshime të mëdha në florën dhe në faunën e kontinentit, rrjedhimisht edhe në territorin e Ballkanit. U zhdukën të gjitha kafshët tipike të pleistocenit, si mamuthi, rinoceronti etj., kurse një pjesë e kafshëve që vazhduan të jetonin ndryshuan përhapjen gjeografike. Në kushtet e reja gjeo-klimatike, njeriu i mezolitit filloi të kalojë nga ekonomia që mbështetej në gjuetinë e mbledhjen e produkteve të gatshme, në fillimet e bujqësisë e të blegtorisë primitive.
Epoka e mezolitit dallohet nga ajo e paleolitit edhe prej veglave të punës, të cilat janë bërë nga ashkla stralli shumë të vogla me forma të rregullta gjeometrike, si trekëndësha, trapezoidale, në formë segmenti etj., me përmasa të vogla 4-6 cm, ndaj quhen mikrolite.
Në territorin e Shqipërisë vendbanime mezolitike janë zbuluar në shpellën e Konispolit (Konispol II) dhe në Kryegjatë. Në të dyja këto vendbanime veglat prej stralli janë të cilësisë shumë të mirë, kanë forma tipike mezolitike, me retush të imët të cilësisë së lartë. Në Konispol ato janë datuar saktësisht në vitet 8500 p.e.sonë (në bazë të C14).
Me epokën mezolitike lidhet pjesërisht edhe vendbanimi i Vlushës (rrethi i Skraparit), ku janë zbuluar vegla stralli tipike mezolitike. Këto vegla janë gjetur së bashku me fragmente enësh shumë primitive, fakt që e daton Vlushën në fillimet e epokës neolitike. Sidoqoftë, ato i takojnë një kulture me tradita të forta mezolitike, dhe Vlusha përfaqëson një kulturë që vë në lidhje të drejtpërdrejtë epokën e mezolitit me fillimet e epokës së neolitit. Të marra së bashku, Konispoli II, Kryegjata dhe Vlusha, përbëjnë një dëshmi të rëndësishme për formimin e kulturës neolitike në territorin e Shqipërisë.


2. N E O L I T I

Vendbanimet neolitike

Neoliti (nga greq. neos - i ri dhe lithos - gur) përfaqëson etapën e fundit dhe njëkohësisht më të zhvilluarën të epokës së gurit. Ai përfshin një kohë që fillon nga mijëvjeçari i shtatë dhe mbaron nga fundi i mijëvjeçarit të katërt p.e.sonë. Arkeologjikisht neoliti ndahet në tri periudha të mëdha: e hershme, e mesme dhe e vonë. Në këtë të fundit përfshihet dhe periudha e bakrit ose eneoliti (nga bashkimi i fjalës lat. eneos - bakër dhe greq. lithos - gur), që përbën etapën e fundit dhe kalimtare për epokën e bronzit.
Në këta tridhjetë vjetët e fundit janë zbuluar e gërmuar një numër i madh vendbanimesh neolitike me shtrirje gati në tërë territorin e Shqipërisë, si në Maliq, në Cakran, në Vashtëmi, në Burimas, në Podgorie, në Barç e në Dërsnik të rrethit të Korçës, në Kamnik të Kolonjës, në Blaz e Nezir të Matit, në Cakran të Fierit, në Burim, në Gradec e në Cetush të Dibrës, në Kolsh të Kukësit, në Rajcë e në Rashtan të Librazhdit e nga gjetje të rastit në pika të tjera. Më mirë është njohur e studiuar pellgu i Korçës, i cili gjatë epokës prehistorike ka pasur kushte shumë të mira gjeoklimatike. Ai paraqet sot zonën më të pasur e më të zhvilluar kulturore të neolitit si edhe pellgun ku mund të ndiqet pa ndërprerje zhvillimi i kulturës neolitike në gjithë shtrirjen e tij kohore. Materialet e gjetura në këto qendra prehistorike, krahas atyre të dala në dritë shumë kohë më parë si në Velçë të Vlorës ose rastësisht në rrethet e tjera të vendit, kanë dhënë mundësi që të njihen aspekte të ndryshme të jetës ekonomike, shoqërore dhe kulturore të banorëve neolitikë të territorit tonë, ndërsa përhapja e gjerë e këtyre vendbanimeve dhe e gjetjeve rastësore neolitike ka treguar se ky territor gjatë kësaj epoke ka qenë i banuar dendur dhe pa ndërprerje.
Jeta në vendin tonë gjatë neolitit u zhvillua në kushte shumë të përshtatshme natyrore. Klima e ftohtë dhe e lagësht e paleolitit, e cila kishte filluar që në mezolit t’i lëshonte vendin një klime më të butë, tani merr pak a shumë karakterin e klimës së sotme. Si rrjedhim edhe flora e fauna thuajse nuk ndryshojnë prej asaj të ditëve tona.
Këto rrethana të favorshme natyrore ndihmuan që vendi ynë gjatë neolitit të arrijë në një nivel të lartë zhvillimi ekonomik dhe kulturor për atë kohë. Njeriu nga skllav i natyrës, siç ishte në paleolit, shndërrohet tani, pak e nga pak, në zotërues i saj. Në këtë kohë lindin e zhvillohen forma të ndryshme të veprimtarisë prodhuese të njeriut, të cilat me plot të drejtë mund të merren si zanafilla e degëve të veçanta të ekonomisë dhe të përparimit teknik e kulturor të shoqërisë së sotme. Të tilla janë bujqësia e blegtoria, prodhimi i qeramikës, tjerrja dhe endja, teknika e ndërtimit të banesave etj. Përsoset në këtë kohë edhe teknika e punimit të veglave prej kocke dhe prej guri. Hyn në përdorim të gjerë dhe bëhet karakteristike për epokën dhe teknika e lëmimit të gurit. Nga fundi i neolitit (eneolit), për të parën herë dalin dhe veglat e objektet prej bakri, të cilat shënojnë dhe fillimet e metalurgjisë në vendin tonë.
Në këto periudha të largëta të prehistorisë, vendbanimet i ndeshim zakonisht nëpër tarraca lumore, pranë burimeve ose në vende me toka pjellore dhe të pasura me pyje që strehonin shumë kafshë të egra. Por krahas këtyre, vazhdonin të shërbenin si vendbanim edhe shpellat (shpella e Velçës, e Trenit, e Konispolit, e Blazit etj.). Banesat paraqiten dy llojesh: në formë gropash nëndhese (Cakran) dhe të tilla të ndërtuara drejt mbi tokë (Maliq, Kamnik, Kolsh etj.). Zakonisht këto kishin planimetri drejtkëndëshe dhe ishin një ose dy dhomëshe. Muret e tyre thureshin me thupra ose me kallama dhe lyheshin pastaj me baltë në njërën ose në të dy faqet e tyre. Dyshemetë ishin gjithashtu prej balte; në disa raste ato vendoseshin mbi shtroje trarësh për të izoluar lagështirën. Në Dunavec dhe në Maliq të Korçës janë zbuluar banime të ngritura mbi hunj (palafite). Mbi hunjtë vertikalë qëndronte një platformë prej trarësh të vendosur horizontalisht e mbi të ngriheshin banesat (kasollet) të shtruara me baltë. Palafiti i Maliqit ka qenë i rrethuar me një gardh që e mbronte nga vërshimi i ujit apo nga rreziqe të tjera.


Ekonomia. Lulëzimi i gjinisë matriarkale

Nga materialet e zbuluara në vendbanimet neolitike të vendit tonë del se bujqësia përbënte një nga format kryesore të prodhimit dhe sidomos tek ato bashkësi primitive që banonin në toka pjellore, si p.sh. në pellgun e Korçës, në fushën e Cakranit (Fier) etj. Toka punohej cekët me shat prej guri ose briri dreri. Kjo ishte forma më primitive e punimit të tokës. Në këtë kohë mbillej gruri si dhe llojet e tjera të drithërave. Këtë e tregojnë farërat e karbonizuara të zbuluara në shtresat neolitike të Podgories, të Konispolit, të Maliqit apo në muret e banesave të lyera me baltë të përzier me byk drithërash, siç i gjejmë në vendbanimet më të hershme neolitike (Vashtëmi, Kolsh etj.).
Në depozitimet neolitike të vendit tonë, përzier me mbeturina të ndryshme të kulturës, janë zbuluar me shumicë dhe kocka bagëtish të imëta dhe të trasha, që tregojnë se krahas bujqësisë banorët neolitikë merreshin edhe me blegtori. Prej bagëtive ata siguronin qumështin, mishin, leshin, lëkurën etj. Një pjesë të këtyre produkteve ata i siguronin dhe nëpërmjet gjuetisë së kafshëve të egra, kockat dhe brirët e të cilave i ndeshim gjithashtu në qendrat e banuara të kësaj kohe. Dreri ishte një nga kafshët e egra më të parapëlqyera të gjahut, i cili përveç mishit dhe lëkurës, u siguronte bujqve primitivë edhe brirët me të cilët bënin vegla të ndryshme bujqësore, si shetër, çekanë etj., dhe që i gjejmë të përfaqësuar mirë sidomos në vendbanimin e Dunavecit e të Maliqit. Po këtu janë zbuluar edhe shumë pesha rrjetash, gropa etj., që dëshmojnë se një formë tjetër e sigurimit të ushqimit të banorëve neolitikë të Dunavecit e të Maliqit ishte dhe peshkimi.
Banorët neolitikë të vendit tonë dinin gjithashtu të tirrnin fijen dhe të endnin prej saj rroba me anë të vegjës primitive vertikale. Këtë e tregojnë rrotullat e boshtit dhe peshat për tërheqjen e fijes në vegjë, të zbuluara në Maliq e gjetkë.
Që në etapën më të hershme të neolitit shfaqen dhe enët prej balte të pjekur, që përbëjnë si kudo gjetjet më të shumta e më të rëndësishme në vendbanimet e kësaj kohe. Prodhimi primitiv i tyre ashtu si edhe ai i tekstilit dhe i prodhimeve bujqësore, ishte i lidhur me punën e gruas. Çdo bashkësi neolitike i përgatiste vetë enët sipas nevojave të saj. Ato punoheshin me dorë në forma e madhësi të ndryshme, me faqe të trasha ose të holla, me ose pa zbukurime sipas qëllimit të tyre praktik.
Zhvillimi i madh, për atë kohë, i prodhimit, i cili gjeti shprehjen e vet në shtimin e llojeve të veglave të punës dhe në përmirësimin teknik të punimit të tyre, në zhvillimin e formave të tilla të ekonomisë, siç ishin bujqësia dhe blegtoria etj., solli ndryshime dhe në organizimin shoqëror, që u pasqyrua në përmirësimin e mëtejshëm të strukturës gjinore. Gjinia matriarkale e lindur që në paleolitin e lartë dhe e zhvilluar dalëngadalë gjatë mezolitit arrin tani fazën e lulëzimit të saj. Në fushën ekonomike kjo fazë e zhvillimit gjinor ishte e lidhur kryesisht me zhvillimin e bujqësisë primitive, e cila duke qenë punë e gruas, i jepte asaj një vend me rëndësi në prodhimin shoqëror. Paraqitja e saj me figurat e shumta prej balte, dëshmon se ajo kishte një pozitë parësore në gjini. Martesa me grupe, karakteristike për periudhën e hershme të matriarkatit, zëvendësohet tani në periudhën e lulëzimit të saj me një formë të re më të përsosur, me martesën me çifte.
Gjatë gjithë kohës së neolitit, gjinia mbetet e vetmja njësi shoqërore dhe ekonomike në bashkësinë primitive. Në këtë gjini kishte jo vetëm bashkësi familjesh me çifte, por edhe një organizim pune dhe konsumi kolektiv. Puna e përbashkët i shpinte njerëzit në pronën e përbashkët mbi mjetet e prodhimit dhe mbi produktet e prodhimit.
Ndërmjet gjinive, që jetonin në afërsi të njëra-tjetrës, u vendosën gjatë kësaj periudhe marrëdhënie të tilla ekonomike e shoqërore që shpunë në formimin e bashkësive fisnore. Midis këtyre njësive të mëdha fisnore fqinje ose më të largëta, ekzistonin marrëdhënie këmbimi. Në vendbanimet tona neolitike janë ndeshur sende të sjella nga krahina të largëta, siç janë p.sh., importet e poçerisë diminiane të Thesalisë në depozitimet e vendbanimit të Cakranit apo të Kamnikut etj.

LINDJA DHE FORMIMI I BASHKËSISË PRIMITIVE



MANASTIRI I ARDENICËS, TETË SHEKUJTE METAMORFOZËS

 


Vetëm 10 m në veri të qytetit të Fierit, buzë rrugës nacionale që lidh qytetin e Fierit me atë të Lushnjes ngrihet Manastiri i Ardenicës me një pozitë dominuese në kodrat me të njëjtin emër në lartësinë 237 m mbi nivelin e detit. Manastiri mesjetar mban emrin e Marisë Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të trevës së Myzeqesë, në të cilën ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike bujqësore.
Manastiri, edhe pse në pamje të parë të lë përshtypjen e një objekti kulti të zakonshëm fsheh në brendësi të tij vlera mjaft të mëdha. Sa më shumë të futesh në labirinthet e historisë së tij aq më shumë dalin në dritë vlerat e tij, të cilat do t'i rendisim një e nga një në këtë shkrim.

Historia
Mendohet se themelet e këtij manastiri janë hedhur në vitin 1282 me nismën e perandorit Andronik II Paleolog të Bizantit, i cili e ngriti këtë tempull pas fitores mbi anzhuinët në Berat. Shtysë për këtë veprim do të jetë bërë ndodhja në atë vend e kapelës së Shën Triadhës, e ngritur aty shekuj më parë. Ekziston hipoteza se kapela mund të jetë ndërtuar në themelet gërmadhë të një tempulli pagan, i cili ka qenë ndërtuar për nder të hyjneshës Artemisa nga ka rrjedhur dhe emri i sotëm Ardenica. Fare pranë këtij tempulli, në rrethinat e të cilit sot ndodhet manastiri, kalonte dega jugore e rrugës antike Egnatia, pikërisht 1 km në perëndim të tij. Për rreth manastirit shikohen, aty-këtu, ndërtime të vjetra, të cilat të krijojnë mendimin se rreth tij ka patur ndoshta një qendër të banuar. Sipas defterit osman të vitit 1431-'32, në nahijen e Myzeqesë, ndodhej fshati Ardenicë me tetë shtëpi, i cili mund të jetë shtrirë për rreth manastirit. Dëshmi tjetër, për rëndësinë e këtij manastiri është dhe fakti që po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, se në altarin e Kishës së manastirti të Ardenicës, është bërë edhe kurorëzimi i martesës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti me Andronika (Donika) Arianititn. Ceremoniali u bë në mesditën e 21 prillit 1451 nga peshkopi i Kaninës Feliks, në prani të princave shqiptarë dhe ambasadorëve të Napolit, Venedikut, Raguzës. Këtë fakt e përmend për herë të parë në vitin 1940, italiani A. Lorenconi.

Arkitektura 
Kisha e Ardenices Manastiri është i tipit bizantino-ortodoks. Ai, së bashku me konaket që i janë shtuar më vonë, zë një sipërfaqe prej 2.500 m2. Ky monument përbëhet nga kisha e Shën Mërisë, kapela e Shën Triadhës, konaket, mulliri vajit, furra, stalla, etj.. Në qendër të tij ndodhet kisha "Lindja e Shën Mërisë", e cila është ndërtuar pjesërisht me gurë të sjellë nga Apollonia dhe gurë shtufi. Kisha është e tipit Bazilikal. Ajo zë një vëllim të madh dhe është e mbuluar nga një çati druri me tavan të rrafshët. Mjediset që përbëjnë këtë kishë janë: naosi, narteksi, egzonarteksi dykatësh, ku në fund u bashkangjitet këmbanorja e lartë 24 m. Në anën jugore ndodhet portiku i hapur i ndërtuar me kolona dhe harqe. Naosi përbëhehet nga tre pjesë, të cilat ndahen në dy rreshta kolonash prej druri. Naosi ndahet nga altari me anë të ikonostasit. Dyshemeja e kishës është shtruar me pllaka guri, e cila përfshin edhe ambientet e narteksit dhe egzonarteksit.
Në vitin 1743 me nismën e peshkopit të Beratit, Metodit, i cili ishte me origjinë nga Bubullima (Myzeqe), u bënë në këtë manastir punime rregulluese përfshirë edhe kishën e Shën Mërisë. Kapela e Shën Triadhës shtrihet në pjesën verilindore të manastirit dhe ka përmasa 7.50 x 3.70m.
Hyrja e saj është në anën perëndimore dhe është e pajisur me dy dritare të vogla në faqen jugore. Kjo kapelë është ndërtuar me gurë shtufi dhe është e pajisur me një hapësirë, muri gjysmërrethor i së cilës e ndan atë nga një sternë uji. Porta e kapeles është mbuluar me harkë guri, pranë dritares lindore të saj ndodhet edhe një reliev qeramike.

Ikonografia
Kisha e Shën Mërisë është zbukuruar me afreske të mrekullueshme nga krijimtaria e piktorëve Kostandin dhe Athanas Zografi. Këta piktorë korçarë punuan për zbukurimin e këtij tempulli në vitin 1744. Veprimtaria artistike e ateliesë së piktorëve Zografi është shpalosur në bazilikat e Voskopojës, Vithkuq, në Myzeqe dhe në malin Athos në Greqi, ku shkuan disa herë dhe shfaqën talentin e tyre të fuqishëm, nëpër kishat dhe manastiret e atjeshme.
Piktura e Zografëve cilësohet nga specialistët si vazhdim i traditës më të mirë të pikturës kishtare në vendin tonë. Tematika pasqyron ngjarje nga Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, dogmatika, liturgjia, jeta e shenjtorëve, etj.. Disa nga skenat janë "Festat e Virgjëreshës", skenat nga "Jeta dhe vuajtjet e Krishtit", "Fjetja e Shën Mërisë", "Zbutja e shpirtit të shenjtë tek apostujt", etj..
Në brezin e fundit, ndërmjet figurave të shenjtorëve është pikturuar muzikologu i shquar bizantin nga Durrësi Johan Kukuzeli. Në narteks, në të gjithë faqen lindore paraqitet skena e madhe që titullohet "Gjyqi i Fundit".
Krahas afreskeve një vend të rëndësishëm në dekoracionin artistik zë edhe ikonostasi i gdhendur në dru, i polikromuar me ar, i cili mban dy radhë ikonash të mëdha dhe të vogla. Zbukurimi i ikonostasit me ikona është realizuar në vitin 1744, ku kanë ndihmuar edhe esnafët e bakërxhinjve dhe muratorëve vozkopojarë, ç'ka tregon lidhjen e tyre shpirtërore me këtë trevë. Ikonat janë vepër e piktorit më të mirë miniaturist të shekullit të tetëmbëdhjetë, Kostandin Shpataraku. Disa nga ikonat janë: "Lindja e Shën Mërisë", "Krishti në Fron", "Shën Mëria me Krishtin", "Johan pagëzori", "Mbledhja e kryeengjëjve", "Kryqëzimi", etj.. Interesant është fakti se si në ikonën e Shën Gjon Vladimirit, në një nga ndarjet e cilklit të saj është pikturuar princi shqiptar i shekullit të katërmbëdhjetë, Karl Topia, me kurorë mbretërore në kokë dhe skeptër në dorë, që piktori e quan mbret të Shqipërisë.

Klerikët
Këtij manastiri nuk i kanë munguar asnjëherë klerikët e përkushtuar. Për t'u përmendur janë shumë prej tyre po ne po prekim vetëm dy. Njëri prej tyre, Igumeni, Nektar Terpo me origjinë nga Voskopja, shkroi në vitin 1731 një lutje të shkurtër në formë afresku. Lutja është shkruar në katër gjuhë: latinisht, greqisht, arumanisht dhe shqip. Është i rëndësishëm fakti se ky tekst përmban shkrimin e parë të shqipes të shkruar në shkollë nga grekët, teksti shqip i shkruar në alfabetin grek është i tillë: "Vigjin dhe mame e Perendis uro pren fajt orete" në fund të tij ndodhet nënshkrimi i autorit, Hieromonah - murgu, Nektarit. Ky murg ka shkruar edhe librin me përmbajtje fetare "Besimi" (Pistis), i cili u botua në Venedik në vitin 1773.
I dyti klerik që përmendet në historinë e kishës Ortodokese, është prifti Marko, i cili është ai që gjeti kufomën e shenjtit Kozma të hedhur në lumë nga suvarinjtë turq. Ja ç'thuhet në "Martirdogun" Shën Kozma Etollosit të përshkruar nga Shën Nikodhimi: Pas tri ditësh një prift i pëkushtuar i quajtur Marko që shëbente në manastirin e Ardenicës, pranë fshatit të Kolkondasë hipi në një trung bëri kryqin dhe shkoi të kërkonte. Gjatë ecejakeve të tij me barkë përgjatë lumit Seman ai gjeti trupin e të shenjtit, i cili qëndronte mbi ujë sikur të ishte i gjallë. Pasi e nxori nga lumi ai e veshi kufomën me rrasën e vet dhe e varrosi atë në kishën e Shën Mërisë së Kolkondasit, ku vite më vonë Ali Pashë Tepelena do të ngrejë manastirin e Shën Kozmait, si qendër të rëndësishme të kristianizmit në Myzeqe. Në fund të viteve 60 të shekullit të XX, në këtë manastir kaloi vitet e fundit të jetës edhe krypeshkopi i kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Irene Banushi, një nga figurat më të shquara të klerit ortodoks.

Qendër arsimi dhe kulture
Manastiri i Ardenicës ka qenë mjaft i përmendur për pasurinë e bibliotekës së tij. Deri nga Greqia vinin në Ardenicë murgj dhe priftërinj për të studiuar në këtë bibliotekë. Kjo u pasurua me një fond të madh librash gjatë shekujve XVII - XVIII, sidomos nga ndihmat e shoqërisë voskopojase "Shoqata e Manastirit të Ardenicës", e cila i sillte librat jo vetëm nga Europa Perëndimore, por edhe nga Hungaria e Polonia. Kjo bibliotekë, që ishte një thesar i çmuar kulturor me 32.000 vëllime, u dogj nga zjarri në vitin 1932; ndoshta Zoti vendosi të vepronte kështu?! Qysh prej vitit 1780, në Manastirin e Ardenicës u hap edhe një shkollë e tipit të ulët në gjuhën greke. Qëllimi i saj ishte përgatitja e klerikëve të thjeshtë, për nevojat e kishës ortodokse. Lëndët bazë ishin Bibla, Liturgjia dhe greqishtja. Gjatë rilindjes kombëtare shkolla e Manastirit të Ardenicës do të bëhet një nga vatrat e mësimit të gjuhës shqipe, nga ku do të dalin një brez i tërë shkollash. Në vitin 1817, shkolla e ulët në manastirin e Ardenicës u shndërrua në gjimnaz, i cili ishte pajisur edhe me konvikt, shkak ishin lëndët bazë të kësaj shkolle. Nga bankat e saj dolën edhe priftërinj që u ngritën në karrierë, si për shembull: Peshkopi i Beratit, Josifi.

Mbishkrimet
Në dokumentet historike, manastiri "Lindja e Shën Mërisë" së Ardenicës, përmendet për herë të parë në vitin 1715, ndërsa vetë ky objekt kulti na ofron disa mbishkrime, të cilat janë të gjithë në gjuhën greke. Më i vjetri në kohë, është ai i datës 1 maj 1477. Ky mbishkrim gjindet mbi hyrjen qëndrore të Manastirit. Një mbishkrim tjetër nodhet në brendësi të Naosit mbi portën kryesore të tij dhe na jep datën 1743 - '44 që është edhe periudha e pikturimit të kishës së Shën Mërisë nga vëllezërit piktorë Kostandin dhe Athanas Zografi. Në manastir ndodhen edhe dy pllaka me data të ndryshme që i përkasin shekullit XVII. Njëra pllakë, me datën 1754 ndodhet në pjesën perëndimore të hajatit të kishës, ndërsa tjetra që mbart datën 1770 ndodhet në një nga harqet e furrës. Datimet ndodheshin edhe në kambanat që përdorte manastiri.

Vend turistik
Kodrat e Ardenicës ndodhen në jug të fushës së Myzeqesë së madhe me një pozitë dominuese që shihet nga të gjitha anët me një lartësi 237m mbi nivelin e detit. Kjo pozitë si ballkon, ku nga këmbanorja e tij shihen Kruja, mali i Dajtit, Tomorri, deti Adriatik, laguna e Kravastasë e deri në jug malet e Labërisë, e bëjnë Ardenicën një vend të vizituar nga turizmi shplodhës dhe argëtues, vlerat e të cilit ia shton edhe pylli halor dhe ullishtat që ndodhen në bregoret për rreth manastirit. Gjithashtu vlerat që zotëron ky tempull, për të cilat folëm më sipër, e bëjnë atë një nga qendrat më tërheqëse të turizmit studimor. Në këtë drejtim ndikon dhe fakti që pellgu i Myzeqesë, në sajë të pozitës kyçe dhe të privilegjuar ka patur gjithmonë një nivel të lartë zhvillimi ekonomiko-kulturor. Dëshmi për këtë janë një sërë manastiresh të mesjetës së hershme si forma refleksesh të këtij zhvillimi. I tillë ka qenë dhe mbetet edhe manastiri "Lindja e Shën Mërisë" së Ardenicës.

 

 
Info
 
Kjo faqe web eshte hapur per qellime edukative dhe informimi te pergjithshme te njerezve,ane e mban kudo qe ndodheni.ju
 
Today, there have been 18 visitors (42 hits) on this page!
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free